Lajmet

CBS në 13 zona rurale për punësimin e të rinjve

Përfaqësuesit e 7 kompanive duke firmosur marrëveshjet me Assist Impact për për grante/projekte që synojnë rritjen e mundësive të punësimit dhe fuqizimin e rolit aktiv të të rinjve në shoqëri

1 Tetor 2014 - Dy në tre të rinj shqiptarë janë të papunë. Shqipëria, një vend ku gjysma e popullsisë është në moshë të re, ofron pak mundësi për këtë grupmoshë, që vuan shkallën më të lartë të papunësisë, raporton Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë. Në ndihmë të të rinjve shqiptarë, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe organizata Assist Impact nënshkruan ditën e Martë, në 1 tetor 2014, shtatë marrëveshje për grante/projekte që synojnë rritjen e mundësive të punësimit dhe fuqizimin e rolit aktiv të të rinjve në shoqëri.

Marrëveshjet e nënshkruara me 7 Organizata Jo Qeveritare nga e gjithë Shqipëria, janë të fokusuara kryesisht në punën me të rinj që jetojnë jashtë Tiranës dhe në zonat rurale.
Creative Business Solutions (CBS), do të foksohet në punësimin e të rinjve në sektorin bujqësor. Kjo organizatë do të punojë në 13 zona rurale, nga Malësia e Madhe në Gjirokastër, për të trajnuar dhe punësuar të rinj si specialistë në prodhim produktesh blegtorale, frutash e perimesh, bimësh mjekësore e erëzash si dhe në ruajtjen në mjedise ftohëse dhe sera.

Organizatat e tjera që do të zbatojnë 7 projektet janë Agjencia e Zhvillimit Rajonal (AZhR) Korçë, Albania Rafting Group (ARG), Shoqata për Integrimin dhe Zhvillimin Komunitar (ShIZhK), Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEAA) do të punojë në sektorin e blegtorisë në Lushnjë, Shkodër, Korçë dhe Kukës, Rrjeti Alumni i Studentëve Shqiptarë (ASAN) dhe Epoka e Re Fier.

Pjesëmarrës në eventin e nënshkrimit të granteve ishin i ngarkuari me Punë në Ambasadën Amerikane në Tiranë, Henry Jardine, Zëvendësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, Zëvendësministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Jani Babi dhe përfaqësues të organizatave fituese.