Lajmet

CBS-mbështetje teknike për qendrat agro të grumbullimit me ndikim në rritjen e eksportit

"Ngritja e qendrave të grumbullimit të produkteve bujqësorë si mjet për rritje të eksportit" ishte tema qendrore e takimit të nivelit të lartë në Elbasan, organizuar nga Kompania "Agro One" e cila është mbështetur me asistencë teknike dhe konsulence financiare nga CBS, përmes shërbimeve të projektit AgroKapital. Kompania Agro-One, e cila përmbledh 100 anëtarë të shoqatës bujqësore “Sulova" është një nga qendrat më premtuese të grumbullimit në Shqipëri, duke qenë e para e këtij lloji.

Pjesëmarrës në takim, duke ndarë opinionet e tyre mbi sfidat dhe zgjidhjet ishin Z. Edmond Panariti , Ministër i Bujqësisë , Z. Edmond Haxhinasto , Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës , Z. Alban Zusi, Zëvendës Ministër i Bujqësisë , përfaqësues të ProCredit Bank, Z. Shkelqim Elezi , Shef i Seksionit të Bujqësisë Elbasan , Kryetarët e komunave Mollas dhe Klos. Ky takim kishte për qëllim ndërgjegjësimin e agrobiznesit në lidhje me produktet e financimit në dispozicion dhe mundësitë e reja financiare të ofruara nga Bankat, Institucionet Financiare dhe me shërbimet e projektit AgroKapital si një program për agrobiznesin për të krijuar rritje ekonomike të sektorëve të bujqësisë, nëpërmjet financimit dhe rritjes së aftësisë sipërmarrëse të agrobizneseve.

Z. Ilir Pilku, Menaxher i Zhvillimit të SME-ve dhe i Asistencës Teknike në CBS prezantoi produktet dhe shërbimet e projektit AgroCapital, duke theksuar nevojën thelbësore të krijimit të qendrave të grumbullimit të produkteve bujqësore në Shqipëri si mjet i domosdoshëm për rritjen e ekonomisë bujqësore dhe të eksportit.