Lajmet

Mbështetja Financiare - Çelësi i Suksesit në Bujqësi

Zj. Alina L. Romanowski, Koordinatore për Ndihmën e Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Eurazi, dhe Zj. Christine Tefft, Shefe e Programeve për Europën gjatë një bisede me fermerë shqiptarë.

16 Korrik 2015 - Zilja cingërritëse e alarmit bie në mënyrë rigoroze çdo ditë në orën 2 të mëngjesit. Petrit Çela, ngrihet nxitimthi dhe ashtu i nëpërgjumur rrufit kafenë, që arrin ta shkundë disi nga gjumi e sakaq është jashtë derës, drejt rrugës për në Tregun Agro Ushqimor në Elbasan. Eshtë ende pa gdhirë, por jeta në treg ndërkohë ka nisur të gëlojë. Kamionët kanë zënë vendet e tyre në hapësirën e madhe të tregut, ndërkohë që mbërrijnë të zhurmshëm me qindra fermerë e tregëtarë nga fshtrat dhe qytetet përreth. Është ora 3 e mëngjesit dhe Petriti sigurohet që çdo gjë të jetë në vijë për të nisur një ditë të re, me fermerët e zonës që shkarkojnë frutat e perimet e tyre të bollshme dhe tregëtarët që furnizohen me produkte cilësore për t’i shitur më pas në tregjet më të vogla të Elbasanit e Tiranës.

Skena si kjo, që prej 8 muajsh, janë bërë krejt të zakonshme në Tregun Agro Ushqimor. Petriti ka rreth 18 vjet që merret me bujqësi, por ky realitet që sot e zgjon atë që me natë dhe që u siguron afro 300 vende pune banorëve të zonës, që tregëtojnë afro 20 ton fruta dhe perime në ditë, deri 2 vite më parë, ishte vetëm një ëndërr.

Nën mbështetjen e USAID përmes projektit AgroKapital për Mbështetjen e Financimit të Agrobiznesit, Petriti ka mundur të realizojë ëndrrën e tij duke ndërtuar edhe dhomat frigoriferike, tejet të rëndësishme për mbarëvatjen e tregut përmes një granti prej 11 million lekë dhe një kredie prej 25 million lekë, duke e mbështetur në normë interesi në masën 70% për 7 vite rradhazi nga AZHBR.

Petrit Çela, pronari i Tregut Agro Ushqimor në Elbasan

“Granti ka qenë një ndihmesë e madhe për mua, pasi më mundësoi ndërtimin e dhomave frigoriferike, pa të cilat produktet do të prisheshin e kalbeshin. Kjo mbron investimin tim dhe të fermerëve që tregëtojnë këtu”, thotë Çela, ndërkohë që në fytyrë i ravijëzohet fare qartë gëzimi. Dhe me të drejtë, pasi sot ky treg konsiderohet si një nga tregjet më të mira dhe më bashkëkohore në Shqipëri i ndërtuar sipas standardeve europiane të sigurisë ushqimore.

“Më lejoni t’ju siguroj se klienti është mbret këtu. Ata nuk kthehen nëse nuk e pëlqejnë”, thotë me krenari, ndërsa i tregon investimin e madh prej 2 milionë Eurosh të Tregut Agro Ushqimor, zj. Alina L. Romanowski, Koordinatore për Ndihmën e Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Eurazi dhe zj. Christine Tefft, Shefe e Programeve për Europënl. Drejtueset e larta amerikane ishin në një vizitë për të parë nga afër investimet e bëra falë mbështetjes së USAID si dhe për të parë potencialet dhe problematikat me të cilat ndeshen sot fermerët shqiptarë.

Në bisedën që pati me fermerët e AgroMarket, Zonja Romanowski në mënyrë të veçantë vuri në dukje potencialet e mëdha, që ka ky sektor për të konkuruar në tregjet ndërkombëtare. “Ky është një sektor shumë i rëndësishëm dhe keni potenciale të jashtëzakonshme për të konkuruar në tregjet Evropiane dhe ato Amerikane”, theksoi Romanowski ndërsa i sugjeroi fermerëve shqiptarë që të fokusohen më shumë në kultivimin e produkteve me vlerë me potencial të lartë. “Duke rritur efiçencën përmes aksesit në financime alternative nëpërmjet programeve qeveritare dhe donatorëve të huaj, të cilat janë të gatshëm t’iu ndihmojnë siç është dhe rasti i USAID, ju mund të përfitoni duke rritur në këtë mënyrë investimin tuaj duke qenë më të hapur ndaj produkteve dhe tregjeve të reja”, theksoi Koordinatorja për Ndihmën e Shteteve të Bashkuara në Europë dhe Eurazi, Alina L. Romanowski.

Bujqësia aktualisht punëson 50% të fuqisë punëtore, por përfiton vetëm 4% nga totali i financimeve duke kontribuar në vetëm 18% të PBB, shumë herë më pak se potenciali i saj real. Megjithatë, disa zhvillime janë premtuese veçanërisht për sa i përket skemave mbështetëse të cilat janë një ndihmesë e madhe për sektorin bujqësor. Në fund të vitit 2012, USAID prezantoi fondin e garancisë së kredisë DCA prej 15 milion dollarësh për bujqësinë me dy banka, ndërkohë që Bashkimi Europian nisi financimin prej 8.2 milion euro përmes skemës IPARD si një grant prej 50% për agrobizneset e kualifikuara. Skema mbështetëse kombëtare po rritet dhe kredia e butë nga Cooperazione Italiana (Bashkëpunimi Italian) tashmë përfshin edhe bujqësinë si një sektor prioritar. Eksperienca me IPARD dhe me skemat e tjera mbështetëse tregon se agrobisneset dhe institucionet financiare kanë nevojë për mbështetje teknike në mënyrë që të përfitojnë plotësisht nga këto programe.

“Kjo është shumë e rëndësishme dhe i duhet vënë theksi, pasi fermerët kanë vështirësi të mëdha për të hapur biznese të reja. Këto fonde duhet t’iu sigurojnë fermerëve mundësitë që ata të nisin bizneset e tyre dhe të zhvillohen më tej.”, vuri në dukje Romanowski.

Në baxhon Madrid-1 në Elbasan, një startup që tashmë ka nisur ttë prodhojë djathë dhe nënprodukte të tjera të qumështit

Siç është dhe rasti i baxhos Madrid-1, të sapo hapur në Elbasan. Gëzim Hoxha, ishte ndër fermerët që falë mbështetjes së USAID, përfitoi një grant prej 15 milionë lekësh dhe 20 milionë lekë kredi. I asistur nga AgroKapital, biznesi i Hoxhës në përpunimin e qumështit dhe nën produkteve të tij, ka premisa që në një kohë të shkurtër të kthehet nga startup në një biznes të mesëm me të ardhura të qëndrueshme.

Zakonisht në biznes duhet të jesh realist pasi është dhe rrisku i dështimit, por nëse rrisku llogaritet mirë dhe ka si mbështetje nga mbrapa grantet, atëherë mund t’ju katapultojë në majë. Rasti i suksesit të Petrit Çelës, Gëzim Hoxhës apo dhe i shumë fermerëve të tjerë janë prova e gjallë se mund të jesh i suksesshëm dhe të shërbesh si frymëzim për shumë fermerë të tjerë, të cilët ndeshen me shumë vështirësi financiare për të zhvilluar bizneset e tyre. Që në fakt janë të shumtë në numër.

Një nga problematikat më të mprehta për ta, mbetet mungesa e prodhimit të kulturave jashtë sezonit, si pasojë dhe e mungesës së investimit në serra. Me rritjen e kërkesave të konsumatorëve shqiptarë për të pasur domate, sallata, luleshtrydhe e kastraveca të freskët gjatë të gjithë dimirit, fermerët e kanë të vështirë për t’iu përgjigjur kërkesave në rritje. “Ne nuk mund ta përballojmë dot këtë kërkesë dhe është pengesë për ne. Nevoja e investimit në serra është imediate, pasi në këtë mënyrë të gjithë do të mund të prodhojmë gjithë vitin dhe jo vetëm në sezon, duke mos na u kalbur produktet, pasi prodhimi është më i madh se kërkesa e tregut”, shpreh shqetësimin e tij fermeri Shkëlqim Dushku nga fshati Jogadinë , ndërsa merr miratimin dhe të fermerëve të tjerë në tregun Agro Ushqimor në Elbasan.

Ajo që është e qartë, është se këta fermerë duan të prodhojnë më shumë dhe të eksportojnë më tepër, por ajo çka u mungon është financimi. Nuk është se të gjithë do të zgjohen në 2 të mëngjesit për të drejtuar një treg të tërë, por në të voglën e tyre ata mund të përmirësohen duke përfituar nga grantet e shumta që janë në dispozicion në mënyrë që të rrisin biznesin e tyre. Ashtu si bëri dhe Petriti, i cili 18 vite më parë shiste fruta dhe zarzavate në një qoshkë, për të pasur sot një nga tregjet me të mira.