Lajmet

500,000 USD për sera moderne në Divjakë-një histori suksesi përmes CBS

“Bujqësia nuk është sektor që kërkon asistencë sociale dhe fondet nuk duhet të shkojnë si lëmoshë për fermerët”. Ky shqetësim i Ministrit të Bujqësisë Edmond Panariti flet qartë për problemet e financimit të agrobiznesit dhe nevojës për orientim drejt sektorit bankar.

Fatos Liço nuk ka kërkuar lëmoshë. Përpara tre muajsh ai kontaktoi ekspertët e CBS për të përfituar nga shërbimet e AgroKapital. Me një eksperiencë rreth 15 vjeçare në fushën e bujqësisë, Fatosi ka një agrobiznes në Divjakë që përfshin prodhim fidanësh në serë, tregëtim inputesh bujqësore, magazinim dhe eksport fidanësh perimorë. Për të zgjeruar aktivitetin e tij me një serë të re moderne me sipërfaqe 3.648 m² për fidanët perimorë, Fatosi kërkoi mbështetjen e CBS për financimin e sipërmarrjes së tij.

CBS hartoi planin e biznesit të tij, e ndihmoi me përgatitjen e dosjes së kredisë sipas parametrave të kërkuara nga banka dhe ai arriti të marrë një kredi prej 500,000$. Por jo vetëm kaq. CBS vazhdoi të mbështesë Agroliço gjatë gjithë fazës së ndërtimit të serës së re, me një teknologji moderne, duke mundësuar lidhjen me një prej kompanive të suksesshme izraelite në këtë fushë.