Lajmet

CBS projekt me Universitetin Politeknik mbi “Sistemin për Mbledhjen e të Dhënave”

20 Gusht 2015 - Një skuadër ekspertësh të Creative Business Solutions (CBS) së bashku me një grup akademikësh dhe studentësh të Universitetit Politeknik të Tiranës nisën punën për krijimin e “Sistemit për Mbledhjen e të Dhënave.” Kjo platformë që fokusohet në kërkimin efektiv online, do të përpunojë të dhëna dhe do të njoftojë përdoruesit në kohë reale për lajme dhe evente të personalizuara, sipas fushave të përzgjedhura të interesit.

“Sistemi për Mbledhjen e të Dhënave” është konceptuar si një mjet që do t’i vijë në ndihmë organizatave që veprojnë në sektorin bujqësor dhe të mjedesit, për evidentimin e projekteve të ndryshme në lidhje me fushat e veprimtarisë. Duke vendosur në fokus mundësitë, problematikat, eventet, nismat apo informacione të tjera me interes për këto sektorë, sistemi do të furnizojë vazhdimisht përdoruesit me informacione me vlerë, pa shpenzuar kohë duke hulumtuar në motorrë të ndryshëm kërkimi.

Sistemi është bazuar plotësisht në kërkimin e detajuar, sipas parametrave dhe fjalëve kyçe të përzgjedhura nga vetë përdoruesi. Njoftimet në kohë reale do të dërgohen në përdoruesit specifikë, sa herë që fjala e përzgjedhur do të publikohet në internet dhe do të filtrohet prej sistemit.

Projekti është mbështetur nga Instrumenti për Ngritjen e Kapaciteteve (Participatory Institutional Analysis -PIA), në bashkëpunim me Assist Impact / USAID.