Lajmet

CBS dhe USAID - Tryezë Konsultative për Mbështetjen e së Ardhmes së Bujqësisë

Drejtori i Departamentit Politik dhe Ekonomik i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Jan Rudolph (majtas), Drejtor Ekzekutiv i CBS, Enio Jaço, Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Euroazinë, Thomas Melia, Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe Drejtuesi i Misionit të Usaid në Shqipëri, Marcus Johnson në Tryezën Konsultative për Mbështetjen e së Ardhmes së Bujqësisë Shqiptare

 

Maj 2016 - Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Euroazinë, Thomas Melia dhe Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti përshëndetën takimin konsultativ në ndihmë të financimit të bujqësisë të organizuar nga projekti i USAID-it “AgroKapital.” Gjatë 3 viteve, AgroKapital, projekti i USAID që zbatohet nga Creative Business Solutions (CBS), lehtësoi financimin prej 14.8 milionë dollarësh për fermerë dhe agrobiznese shqiptare.

Ndihmës Administratori i Përgjithshëm i USAID për Europën dhe Azinë, Thomas Melia theksoi se: “Bashkimi Europian dhe institucione të tjera financiare kanë akorduar fonde të tjera për mbështetjen e agrobizneseve gjatë viteve në vijim. Mënyra më e mirë se si ne mund t’i vijmë në ndihmë këtyre bizneseve është duke mbështetur reformat në sistemin gjyqësor dhe atë të drejtësisë në Shqipëri. Garantimi i shtetit të së drejtës do të ketë një ndikim të dukshëm në krijimin e një mjedisi biznesi më transparent, më të barabartë dhe më të sigurtë, që mbështet kreditimin dhe mundësitë e financimit.”

Drejtori i Departamentit Politik dhe Ekonomik i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Jan Rudolph deklaroi se: “Bashkimi Evropian e sheh bujqësinë si një sektor tejet të rëndësishëm për zhvillimin e vendit. Ne e kemi mbështetur që në fillim të viteve 90 dhe do të vijojmë përmes fondeve IPARD. Në 4 vitet e ardhshme, Bashkimi Evropian do t’i dedikojë bujqësisë shqiptare 72 milion Euro. Këto janë investime reale për zhvillimin e bujqësisë, por dhe Shqipërisë drejt integrimit në BE”

Ministri Panariti theksoi rëndësinë e financimit të sektorit të bujqësisë, të cilin qeveria e konsideron jetik për ekonominë. Përgjatë vitit 2016, buxheti përmes skemave kombëtare në bujqësi i Qeverisë Shqiptare parashikohet të jetë afërsisht 13 milionë euro. AgroCapital lehtësoi financimin për afërsisht 20% të aplikantëve të suksesshëm në skemën kombëtare të qeverisë. “Rritja e kreditimit është jetike për bujqësinë. Por ne jemi të kënaqur që kemi arritur të mposhtim skepticizmin për të investuar në bujqësi, si nga ana e institucioneve financiare dhe e agro bizneseve. Nëpërmjet Fondit të Garancisë të qeverisë shqiptare dhe BERZH prej 75 milion Euro do të sigurohet jo vetëm financim por edhe konsulencë për fermerët shqiptarë”.

Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i CBS, theksoi se si suksesi i “AgroKapital” i detyrohet përdorimit të zgjidhjeve të reja për ngritjen e urave të komunitetit mes agrobiznesit dhe instrumenteve e institucioneve financiare.

“Ekzistenca e këtij programi bazohet veçanërisht në rritjen e kërkesës së agrobizneseve për mbështetje me financime. “Programi mundësoi 14.8 milionë dollarë financime për agrobizneset shqiptare, stimuloi rritjen e xhiros së sipërmarrjeve me 28 milionë dollarë dhe arriti të gjenerojë 1,150 vende të reja pune” , tha Jaço
Përfaqësues të Qeverisë, drejtues të bankave dhe të institucioneve financiare, ekspertë dhe sipërmarrës në bujqësi, donatorë dhe investitorë, diskutuan për mundësi te reja të koordinimit të financimit të agrobizneseve shqiptare nga donatorët me synimin që bujqësia shqiptare të përballojë sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.