Lajmet

CBS në takimin e BKT me përfaqësues të AgroBiznesit në Shqipëri

Gjatë takimit të organizuar nga BKT, ku u prezantuan edhe shërbimet e ofruara ndaj agrobiznesit nga projekti i USAID AgroKapital, zbatuar nga CBS

 

Maj 2016 - BKT organizoi një takim miqësor me përfaqësues të Agrobiznesit shqiptar. Në këtë takim të rëndësishëm për BKT morën pjesë sipërmarrës të ndryshëm të këtij sektori. Të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit Drejtues të BKT Z. Seyhan Pencabligil si edhe nga Drejtori Ekzekutiv i CBS (Creative Business Solutions), Z. Enio Jaço.

Gjatë fjalës së tij Z. Pencabligil u shpreh se: “Agrobiznesi është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare, duke mbuluar rreth 50% të punësimit në shkallë vendi dhe afërsisht 1/5 e produktit të brendshëm bruto, ndërkohë që përfiton më pak se 5% të financimit.” Ai shtoi se: “BKT do të vazhdojë të jetë pranë këtij sektori, sikurse ka bërë deri më sot, dhe se një nga arsyet kryesore të këtij takimi është pikërisht forcimi i marrëdhënieve reciproke si edhe zhvillimi i mëtejshëm i tyre me projekte të reja.”

Drejtori Ekzekutiv i CBS, Z. Jaço, theksoi potencialin e madh gjeografik dhe klimaterik të vendit tonë në zhvillimin e këtij sektori. Ai vijoi me prezantimin e Granteve të ndryshëm që do të aplikohen në vitet e ardhshme nga organizata ndërkombëtare në bashkëpunim me qeverinë Shqiptare, duke theksuar edhe rëndësinë e madhe të bankave në realizmin e këtij proçesi. Ai gjithashtu përgëzoi BKT si një nga bankat lider në financimin dhe mbështetjen e këtij sektori, me një larmi të gjerë produktesh të personalizuara.

Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të interesuarit në sektorin e Agrobiznesit për tu njohur me mundësitë dhe zhvillimet potenciale, si dhe për të përfituar nga eksperienca disa vjeçare e BKT dhe CBS në investimet e kryera në këtë sektor.