Lajmet

CBS do të implementojë programin SmartKapital të financuar nga USAID në Shqipëri

Creative Business Solutions (CBS) do të implementojë projektin e ri SmartKapital të financuar nga USAID. Misioni i SmartKapital është të fuqizojë rritjen ekonomike duke lehtësuar financimet, investimet e qëndrueshme të bizneseve dhe tregtinë në sektorët jetësorë të ekonomisë shqiptare duke përfshirë bujqësinë, turizmin dhe mjedisin.

Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare kanë mundësi të kufizuara financimi. Ato mbulojnë 75% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, por nga ana tjetër përfitojnë vetëm 28% të financimeve. Bankat dhe institucionet financiare kanë likuiditet të tepërt, por nga ana tjetër përballen me një nivel të lartë të kredive të këqia. Praktikat informale të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme janë kthyer në një pengesë për bankat në injektimin e niveleve të dëshirueshme të fondeve të kredisë në këtë segment jetësor. Për më tepër, shpërndarja e kredisë ka qenë e pabarabartë mes sipërmarrjeve në zonat urbane dhe rurale.

SmartKapital do të ofrojë zgjidhje inovative të bazuara në treg. Ndërhyrjet e SmartKapital do të përqendrohen në krijimin e një përfitimi të drejtpërdrejtë ekonomik me vlerën e të paktën 21 milion dollarëve për ndërmarrjet që do të mbështeten nga ky program. SmartKapital do të adresojë një mjedis sfidues ekonomik në Shqipëri, veçanërisht situatat me të cilat sipërmarrjet e vogla dhe të mesme përballen për çështje financimi, apo kur merren me investime të reja dhe rrisin biznesin e tyre. Qeveria ka identifikuar tre sektorë prioritarë (Bujqësinë, Turizmin dhe Mjedisin), por një moratorium mbi lejet e ndërtimit; ekonomia informale dhe teknologjitë e vjetëruara kanë penguar seriozisht zhvillimin ekonomik.

SmartKapital, në vazhdën e prioriteteve strategjike të USAID për vendin tonë do të:

1. Lehtësojë mundësinë e financimit për bizneset në sektorin e bujqësisë.
2. Zhvillojë teknologjinë financiare inovative dhe platformat e tregtisë për të ndërlidhur kërkesën me ofertën.
3. Zbatojë iniciativat për Efiçencën Mjedisore dhe të Energjisë me vlera ekonomike.
4. Ofrojë sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme një Paketë gjithëpërfshirëse Shërbimesh 360° që përfshijnë: Kontabilitet, Marketing, Financim dhe Çertifikim.
5. Ofrojë Asistencë Teknike dhe Konsulencë për Bashkitë me një vizion mbi zhvillimin ekonomik dhe rural.

Programi që do të zgjasë tre vjet, do të ketë një ndikim të matshëm ekonomik. Ai do të gjenerojë një përfitim të drejtpërdrejtë ekonomik me një vlerë prej 21 milionë dollarë për sipërmarrjet e përfshira, do të lehtësojë qasjen në financimet me vlerë 15 milionë dollarë amerikanë dhe do të krijojë 1,070 vende pune. Aktivitetet dhe ndërhyrjet e programit do të jenë në nivel kombëtar, me vëmendje të veçantë në zonat rurale dhe ato të pazhvilluara. Shërbimet do të jepen nëpërmjet praktikave të qëndrueshme dhe përfituesit do të jenë përgjegjës për një pjesë të kostos së shërbimit.

Aktivitetet e planifikuara

Programi është projektuar të ofrojë shërbime të orientuara drejt rritjes ekonomike nëpërmjet një rrjeti të gjërë partnerësh dhe përfituesish. Objektivat e SmartKapital do të arrihen nëpërmjet një qasjeje të integruar që synon të arrijë ndikimin maksimal.

Në thelb të këtij programi qëndron lehtësimi i drejtpërdrejtë i aksesit në financime dhe ofrimi i shërbimeve teknike dhe për zhvillimin e biznesit tek sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, të cilat – pasi kanë shfaqur suksesin e tyre, do të kenë mundësi të krijojnë lidhje me platformat teknologjike për të përshpejtuar tregëtinë dhe financat.

Projekti do të ketë një vëmendje të veçantë për Ndryshimet Klimatike dhe do të lehtësojë disa ndërhyrje në mbështetje të praktikave miqësore me mjedisin. Arritja e një ndikimi të një shkalle të gjerë kërkon një ndërhyrje të përqendruar të përgatitur në mënyrë strategjike për bashkitë e përzgjedhura në zonat rurale.

AgroKapital, një program i mëhershëm i USAID Albania dhe i implementuar nga CBS, ka rezultuar shumë efektiv në ofrimin e kapitalit për përfituesit e pafinancuar.

Ky program ka lehtësuar financimin e 14.8 milionë dollarëve për bizneset në sektorin e bujqësisë, ka prodhuar më shume se 18 milionë dollarë amerikanë investime të reja dhe ka krijuar mbi 1,000 vende pune. Programi ka gjeneruar një vlerë investimi në shkallën 1 me 13 - çdo dollar i investuar ka gjeneruar 13 dollarë USD vlerë në impakt ekonomik. AgroKapital ka arritur sukses duke punuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfituesit e tij, duke përmirësuar kapacitetet e tyre dhe duke ndërmjetësuar financimet nga bankat dhe institucione të tjera përfshirë fondet e IPARD dhe të BE-së.