Lajmet

Eventi i CBS mbi 120 pjesëmarrës, përfaqësues të lartë të Qeverisë, bankave, agrobizneseve

CBS Creative Business Solutions në partneritet me USAID, Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar paraqitën programin AgroKapital, për rritjen e financimit të agrobiznesit shqiptar, në një tryezë të rrumbullakët në Tiranë. Takimi i zgjeruar u hap me fjalimet e Ministrit të Bujqësisë së Shqipërisë, zotit Edmond Panariti dhe të Drejtorit Ekzekutiv të Misionit të USAID në Shqipëri, z. David L. Cowles.

Zoti Panariti theksoi rëndësinë e financimit për bujqësinë dhe njëkohësisht të reduktimit të varësisë nga skemat e subvencionit. "Duhet të ndryshojmë mentalitetin, të heqim dorë nga skemat mbështetëse, nga bujqësia e mbijetesës dhe të ecim drejt investimeve të teknologjisë moderne, përmes financimit nga sektori bankar". Ministri Panariti gjithashtu u shpreh se "Programe të tilla si AgroKapital bëjnë të mundur një ndryshim të jashtëzakonshëm në këtë fazë tranzitore". 

Z.Cowles theksoi se AgroKapital ka objektiva ambicioze dhe ka filluar punën shumë fort, por suksesi i këtij programi përfshin të gjithë aktorët; institucionet financiare, projektet kombëtare dhe ndërkombëtare, qeverinë dhe investitorët të cilët do të jenë partnerët tanë përgjatë programit. "Ky event është një platformë e rëndësishme për interesat e përbashkëta, mbështetjen e fuqishme dhe rritjen e qëndrueshme për bujqësinë shqiptare”, tha ai.

Drejtori Ekzekutiv i CBS, z.Enio Jaço në prezantimin e tij theksoi se AgroKapital do të shërbejë si hallka lidhëse midis komunitetit të agrobiznesit shqiptar dhe bankave e institucioneve financiare si injektorë të kapitaleve në ekonominë bujqësore. “Rritja e aftësisë menaxhuese të sipërmarrjeve bujqësore dhe asistenca ndaj bankave për rritje të kredidhënies për sektorin e bujqësisë janë qëllimet më të rëndësishme të projektit. Programi AgroKapital do të sjellë një impakt domethënës ekonomik nëpërmjet financimeve, me 18.5 milion USD, si dhe do të rrisë xhiron e sipërmarrjeve të mbështetura nga programi, me 28 milion USD duke gjeneruar mbi 1,150 vende të reja pune".

Përfaqësues të lartë të Qeverisë, Drejtues të Bankave dhe Institucioneve Financiare, ekspertë, donatorë dhe investitorë, diskutuan mbi mundësitë e reja të financimit, të cilat tashmë i ofrohen agrobiznesit shqiptar përfshirë mbështetjen nga programi AgroKapital, nga skemat financuese të donatorëve si dhe nga produktet e reja bankare.

Z. Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i Creative Business Solutions prezanton shërbimet e ofruara nga projekti AgroKapital në mbështetje të financimit të fermerëve shqiptarë

Ministri i Bujqësisë, zotit Edmond Panariti duke theksuar rëndësinë e financimit për bujqësinë dhe njëkohësisht të reduktimit të varësisë nga skemat e subvencionit