Lajmet

Sistemi i audio-guidave në 4 gjuhë tashmë në Muzeun Ikonografik "Onufri"

Ambjentet e brendshme të katedrales së Shën Marisë

Shumë shpejt Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” do të mund të vizitohet përmes sistemit të audio-guidave!

Implementimi i sistemit të audio-guidave në muzeun “Onufri” është tashmë i finalizuar! Turistët do të kenë shansin të zbulojnë muzeun dhe kryeveprat e tij, duke ndjekur ritmin që i përshtatet, përmes gjuhëve shqip, italisht, anglisht dhe gjermanisht. Guida mbulon historikun e 40 kryeveprave të përzgjedhura.

E tek sa narracioni përcjell informacionet më interesante mbi muzeun dhe kryeveprat e shfaqura në të, nuk do të mungojnë efektet sonore të studiuara për të të katapultuar menjehërë në periudhën e Onufrit apo ikonografëve të tjerë me emër.

Hapësira e ekspozitës së veprave në katin e dytë


Dixhitalizimi u finalizua në kuadër të projektit IntoAlbania, projekt i implementuar nga partneri lokal i USAID, CBS Creative Business Solutions. Nëpërmjet njërit prej komponentëve kryesorë të projektit, IntoAlbania ofron teknologji dixhitale moderne dhe zgjidhje bashkëkohore për muzetë kryesorë në Shqipëri.

Projekti i parë i dixhitalizimit u finalizua suksesshëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me Muzeun “Onufri”, kompaninë e mirënjohur franceze “Orpheo” (Orpheus), e specializuar në dixhitalizim të shërbimeve muzeale si dhe “A.A FILM Company” në Tiranë.Konsideruar si një hap i ri për kulturën e muzeve shqiptarë, kjo ndërhyrje do të sjellë një ekperiencë krejtësisht të re për shumë turistë.