Lajmet

Drejtori Ekzekutiv i Creative Business Solutions Z. Enio Jaco Zgjidhet President i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë 2019, nga e majta në të djathtë- Z. Dael Dervishi, Anëtar Bordi i AmCham, Z. Enio Jaço Presidenti i ri i AmCham, Z. Radmilo Vlacic Zv. President i AmCham, Z. Mark Crawford President ne largim i AmCham, Z. Daniel Koski, Zv. Ambasadori në detyrë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, Z. Elton Haxhi Zv. Ministër i Financave dhe Ekonomisë dhe Znj. Juela Isaj Përgjegjëse për Thesarin AmCham.

Dhoma Amerikane ka organizuar Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë e cila ka shërbyer për të zgjedhur Presidentin e ri, Sekretarin dhe dy anëtarë Bordi. Me shumicë votash në fund të procesit të zgjedhjeve, anëtarët e Dhomës i deleguan përgjegjësinë e Presidentit z. Enio Jaço, Drejtor Ekzekutiv i Creative Business Solutions.

Gjatë prezantimit të platformës në Asamble, Z. Jaco deklaroi ‘Jam krenar për AmCham, e cila është Dhoma më efektive e biznesit në Shqipëri sot. AmCham funksionon si një institucion i vërtetë me rregulla dhe procedura, strukturë që do të ishin zili shumë institucione. AmCham është gjithashtu një forcë e rëndësishme - një bashkim prej 200 biznesesh me $ 5 miliard të ardhura vjetore. AmCham është gjithashtu një rrjet global me 115 degë në më shumë se 100 shtete. Misioni im është të bëjmë Dhomën Amerikane më efektive dhe më me ndikim duke krijuar më shumë akses në tregje për anëtarët e saj dhe duke ndërtuar një ambient më miqësor të të bërit biznesi në Shqipëri.

Z. Enio Jaco gjatë prezantimit të platformës në Mbledhjen e Përgjithshme të Asamblesë së AmCham

Z. Mark Crawford gjatë prezantimit te tij të fundit përpara se të ndërronte presidencën e AmCham, bëri një ekspoze të arritjeve dhe gjëndjes financiare të Dhomës, si dhe të Indeksit të Biznesit të AmCham - një indeks vjetor që mat perceptimin e anëtarëve të AmCham për klimën e biznesit në Shqipëri.

Zëvendës Ambasadori në detyrë i SHBA-së në Tiranë, Z. Daniel Koski gjatë fjalës në Asamblenë e Përgjithshme theksoi faktin se reforma në drejtësi do t’i japë zgjidhje shumë problematikave që ka hasur biznesi dhe do të ndihmojë për të krijuar një klimë më të mirë jo vetëm për kompanitë vendase por dhe për biznesin e huaj dhe atë amerikan.

Dhoma Amerikane e Tregtisë është një organizatë biznesi, me misionin për të tërhequr dhe rritur tregtinë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, promovuar investimet Amerikane dhe ato të huaja në Shqipëri si dhe përmirësuar imazhin e bizneseve Shqiptare në tregun Amerikan dhe atë ndërkombëtar.