Lajmet

USAID, Ambasada e Suedisë dhe Creative Business Solutions inaugurojnë teknologjinë moderne dixhitale për Muzeun Onufri

USAID, Ambasada e Suedisë dhe Creative Business Solutions iniciojnë një përvojë të re për vizitorët e muzeut përmes teknologjisë dixhitale @ Muzeu Ikonografik Onufri Berat

USAID, Sweden dhe Creative Business Solutions (CBS) prezantuan sot “Sistemin dixhital të audio-guidës” në mbështetje të Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat. Për herë të parë në një muze kombëtar, vizitorët do të mund të dëgjojnë në katër gjuhë të ndryshme, shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht, historinë dhe informacionet më interesante për muzeun, ikonat, si dhe ikonografët e njohur që ndodhen në muze.

Drejtori Ekzekutiv i CBS, Z. Enio Jaco duke firmosur deklaratën trepalëshe të bashkëpunimit për lancimin e Sistemit të Audioguides në Muzeun Ikonografik “Onufri”

Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti, Drejtuesja e Misionit të USAID Znj. Mikaela Meredith, Drejtori Ekzekutiv i CBS Z. Enio Jaço, si dhe Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat Z. Agron Polovina si dhe përfaqësues të projektit, diskutuan mbi impaktin që ky projekt pritet të ketë në numrin e vizitorëve të muzeut dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës kulturore e turistike të qytetit të Beratit.

Nga e majta në të djathtë, Drejtori Ekzekutiv i CBS Z. Enio Jaco, Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti dhe Drejtori i Qendrës Kombëtarë të Muzeumeve Berat Z. Agron Polovina

Në fjalën e saj Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti përmend ndër të tjera se “Përvoja e zbulimit në mënyrë të pavarur, përmes audioguidave, e cila i ka dhënë rezultatet e veta në muzetë, kudo në botë, tashmë vjen edhe në Shqipëri, së pari në Muzeun “Onufri”, me shpresën që të thithë sa më shumë turistë e që të mund ta implementojmë edhe në muzeume të tjera të vendit tonë.”

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri Znj. Mikaela Meredith, u shpreh se përmes këtij projekti “Onufri vendos standarde më të larta për t’u arritur edhe nga muzetë e tjerë në Shqipëri.”

Drejtori Ekzekutiv i CBS, Enio Jaço, u shpreh se “Sot po festojmë lançimin e sistemit të parë dixhital të audio-guidës të instaluar në një muze në Shqipëri. Është një teknologji e shkëlqyer që transformon përvojën e vizitorit përmes rrëfimit në 4 gjuhë, tek sa i mundëson kujtdo të eksplorojë muzeun në ritmin vetjak. Jemi krenarë teksa krijojmë këtë përvojë për herë të parë në Shqipëri, duke shpresuar se shumë muze të tjera do ndjekin të njejtin shembull.

Drejtori i Qendrës Kombëtarë të Muzeumeve Berat, Z. Agron Polovina, theksoi: “produkti final që kemi sot në duar nuk duhet parë kurrësesi si një pikë mbërritje, por si pikënisje e një periudhe të re të muzeologjisë së Beratit, që orientohet drejt turizmit dixhital.”

Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti, Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri, Znj. Mikaela Meredith dhe Drejtori i Qendrës Kombëtarë të Muzeumeve Berat Z. Agron Polovina, duke provuar eksperiencën e re të tregimit dixhital përmes sistemit të Audioguidave.

Sistemi i audio-guidës synon zhvillimin e strukturës dixhitale të muzeut. Projekti u realizua falë bashkërendimit të punës së IntoAlbania me Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare të Muzeumeve Berat si dhe Muzeun Ikonografik “Onufri”, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e procesit. Projekti i parë i dixhitalizimit u finalizua suksesshëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me kompaninë e mirënjohur franceze “Orpheo” (Orpheus), e specializuar në dixhitalizim të shërbimeve muzeale si dhe “A.A FILM Company” në Tiranë.