FAQ

Çfarë është CBS?

CBS Creative Business Solutions, është një organizatë konsulence biznesi, jo fitim-prurëse me qendër në Tiranë, e cila ofron këshillim dhe krijon zgjidhje për sipërmarrjet lokale, organizatat, donatorët dhe Insitucionet Financiare. Misioni ynë është përshpejtimi i zhvillimit ekonomik të sektorëve në nevojë, përfshirë bujqësinë, duke prodhuar zgjidhje reale për klientin me standarde të larta profesionale dhe benefite të matshme. 

Çfarë do të thotë CBS?

CBS, Creative Business Solutions do të thotë Zgjidhje Kreative për Biznesin. Ky mision i organizatës është zgjedhur të qëndrojë në logo si shprehje thelbësore e përkushtimit tonë për të qenë kreativë në çdo shërbim ndaj biznesit, duke ofruar zgjidhje të dedikuara dhe konkrete për zhvillim.

Çfarë e dallon CBS nga OJQ-të e tjera të konsulencës?

Ndryshe nga OJQ-të e tjera, ekipi i CBS përbëhet nga bankierë profesionistë që aktualisht po punojnë në projektet e CBS. Ekspertët tanë kanë një ndërthurje prej mbi 40 vjet përvojë pune në bashkëpunimin me kompani të mëdha, banka dhe institucione financiare, organizata, SME, kompani marketingu dhe organizata ndërkombëtare donatore. 7 nga 12 konsulentët e CBS kanë punuar më parë në bankat e nivelit të dytë, ndërsa një pjese tjetër kanë eksperiencë në financimin e agrobiznesit. Kjo bën që në CBS si bankat ashtu edhe agrobizneset të gjejnë veten dhe gjuhën e përbashkët.  

A kryen CBS financime direkte për biznesin apo agrobiznesin?

CBS nuk kryen financime direkte për bizneset apo agrobizneset. Ne mbështesim, lehtësojmë dhe krijojmë mundësi për financim të biznesit dhe agrobiznesit. Në partneritet me agjensi të fuqishme donatore,CBS zbaton programe afatgjata me impakt të lartë zhvillimi. Përmes këtyre projekteve ne ofrojmë asistencë dhe këshillim për bizneset për hartimin e planeve të biznesit, menaxhim tregëtar, kreditim dhe përthithje fondesh. Ne asistojmë dhe trajnojmë bankat për produkte dhe shërbime të reja, për sisteme të automatizuara të vlerësimit të kredive dhe rritje cilësore të portofolit. 

Cilët janë partnerët dhe klientët e CBS?

CBS bashkëpunon me Agjensinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID, në zbatimin e programit 3 vjeçar prej 1.5 milion dollarë, AgroKapital. Agjensi dhe organizata të tjera me të cilat CBS bashkëpunon janë; Shoqata gjermane për Bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, Risi Albania dhe Cooperazione Italiana Albania. Ndër Institucionet financiare me të cilat CBS bashkëpunon në mënyrë të drejtpërdrejtë janë: ProCredit Bank, Banka Kombetare Tregtare, Intesa San Paolo Bank, Raiffeisen Bank, Credins dhe NOA e Unioni Kursim Kredi. CBS ofron asistencë teknike të vazhdueshme për një numër Ndërmarrjesh të Vogla e të Mesme (SME) në rritje, kryesisht të sektorit bujqësor. 

Cila është lidhja e CBS me USAID?

CBS ka fituar të drejtën e zbatimit të projektit 3 vjeçar AgroKapital financuar nga USAID. Zbatimi i projektit ka nisur në shtator 2013 nga ekipi i CBS. AgroKapital është një program për Agrobiznesin për të krijuar rritje ekonomike të sektorëve të bujqësisë, nëpërmjet financimit dhe rritjes së aftësisë sipërmarrëse të agrobizneseve. 

Cili është impakti i AgroKapital?

AgroKapital do të rrisë investimet në Agrobiznes, nëpërmjet financimeve, me 18.5 milion USD si dhe do të rrisë xhiron e sipërmarrjeve të mbështetura nga programi, me 28 milion USD duke gjeneruar mbi 1,150 vende të reja pune. Kjo do të arrihet përmes bashkëpunimit paralel si me bankat ashtu edhe me agrobizneset. 

Çfarë ofron CBS për Agrobizneset?

CBS ndihmon agrobizneset duke lehtësuar kreditimin nga sektori bankar si dhe në përthithjen e fondeve nga grantet dhe financimet alternative në dispozicion. Në shërbimet për kredimarrje përfshihen këshillimi dhe mbështetja në hartimin e aplikimeve për kredi, plane biznesi, studim tregu dhe pasqyra financiare. Për klientët që kërkojnë grante të tilla si IPARD-like të BE-së ofrohen udhëzime dhe interpretim të kritereve aktuale të kualifikimit si dhe shërbime të avancuara që përfshijnë plane biznesi, plotësim i përfunduar i aplikimit, mbështetje për dokumentacionin e kërkuar dhe çdo asistencë e nevojshme për finanlizimin e përthithjes së fondeve. 

Çfarë ofron CBS për Bankat dhe Insitucionet Financiare?

Shërbimet për Bankat dhe Institucionet Financiare përfshijnë analizimin e produkteve ekzistuese deri në ofrimin e zgjidhjeve teknike për të arritur qëllimet e biznesit. CBS ofron konsulencë për krijimin e produkteve të reja kreditimi, të kombinuara me asistencë teknike dhe trajnime në lidhje me skemat e Garancisë së kredive, me fondet e BE-së dhe skemat e tjera të financimit. CBS u rekomandon një sërë bankave klientët SME të kualifikuar për kredi, përmes një sistemi të automatizuar të referimit të kredisë. Bankat pjesëmarrëse përdorin këtë sistem për të përfituar nga një kredi e re dhe për të ndjekur efikasitetin e proçesit të miratimit. Modelet Score Card janë përshtatur për secilën prej bankave, për të rritur shpejtësinë dhe saktësinë e vendimarrjes për kreditim dhe për të zbutur riskun nga klientët e CBS. 

Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një biznes për të përfituar nga shërbimet e CBS?

CBS ofron shërbime për fermerët, agropërpunuesit e deri për agrobizneset e mëdha që synojnë zgjerimin dhe rritjen e aktivitetit të tyre. Eksperët e CBS fillimisht bisedojnë me përfaqësuesit e biznesit dhe gjatë diskutimit vlerësohen ambicjet dhe kapacitet për zhvillim. Bashkarisht vendoset se cili model financimi është më i përshtatshëm në bazë të nevojave dhe produkteve të mundshme financiare. CBS synon rritjen e kapacitetit të bizneseve dhe agrobizneseve në përthithjen e kapitalit dhe të fondeve të tjera nga donatorët.