AgroKapital një program për mbështetjen e financimit të agrobiznesit

Pse AgroKapital? Si po e pengon zhvillimin e bujqësisë shqiptare mungesa e financimit

Për një rritje të shpejtë ekonomike, duhet financim. Shumë financim. Është si karburanti për një mjet motorrik,thonë ekonomistët. Pa të, mjeti nuk mund të ecë përpara. Statistikat zyrtare tregojnë se bujqësia në Shqipëri është e pakfinancuar. Një tregues thelbësor në shëndetin e financave të këtij sektori është raporti Kredi/PBB. Vetëm 4% e kreditimit kundrejt PBB shkon për bizneset agro krahasuar me 40% për pjesën tjetër të ekonomisë. Kontrasti është tronditës. Si rezultat, sektori që punëson gati gjysmën e fuqisë punëtore në Shqipëri kontribuon vetëm 18% e PBB së vendit. Mungesa e financimit është reflektuar edhe në punësim e në zhvillimin ekonomik të këtij sektori.

Bujqësia punëson 50% të fuqisë punëtore, por përfiton vetëm 4% nga totali i financimeve duke kontribuar në vetëm 18% të PBB, shumë herë më pak se potenciali i saj real

Për të lehtësuar mundësitë e financimit, USAID nisi një bashkëpunim me CBS me një financim prej 1.49 milion dollarë për zbatimin e AgroKapital, një program që lehtëson financimin e agrobizneseve.

Arsyet për një nivel kaq të ulët të financimit lidhen ngushtësisht si me ofertuesit (bankat dhe institucionet financiare) ashtu edhe me kërkesën (fermerët dhe agrobizneset). Bankat e perceptojnë kreditimin e bujqësisë si me risk të lartë, duke u distancuar nga ky sektor.Nga ana tjetër, fermerët dhe agrobizneset kanë mangësi në formalizimin e strukturave të biznesit, një kusht bazë për financim dhe kreditim. Skemat mbështetëse ndonëse janë të dobishme janë të pamjaftueshme për të mbyllur hendekun e financimit nga sektori bankar.Shtuar këtu edhe mungesën e platformave të duhura informative për të njoftuar këtë komunitet mbi mundësitë e financimit. Gjithçka ka rezultuar në një marrëdhënie jo të lehtë mes bankave si ofertues kredie dhe fermerëve dhe agrobizneseve si klientë.

Megjithatë, disa zhvillime janë premtuese. Në fund të vitit 2012, USAID prezantoi fondin e garancisë së kredisë DCA prej 15 milion dollarësh për bujqësinë me dy banka, ndërkohë që Bashkimi Europian nisi financimin prej 8.2 milion euro përmes skemës IPARD si një grant prej 50% për agrobizneset e kualifikuara. Skema mbështetëse kombëtare po rritet dhe kredia e butë nga Cooperazione Italiana (Bashkëpunimi Italian) tashmë përfshin edhe bujqësinë si një sektor prioritar. Eksperienca me IPARD dhe me skemat e tjera mbështetëse tregon se agrobisneset dhe institucionet financiare kanë nevojë për mbështetje teknike në mënyrë që të përfitojnë plotësisht nga këto programe.

 

Cilat janë Objektivat e Programit?

AgroKapital ka objektiva ambiciozë. Qëllimi primar është përshpejtimi i financimit, por impakti i plotë është zhvillimi ekonomik i bujqësisë. Rritja e mundësisë së financimit do t’i mundësojë agrobizneset të rrisin prodhimin, të përmirësojnë teknologjinë, të zhvillojnë biznesin e tyre dhe të punësojnë më shumë punonjës.

Rritje e investimeve në
Agrobiznes, nëpërmjet
financimeve, me 18.5 milion USD

Rritje e xhiros së sipërmarrjeve
të mbështetura nga programi,
me 28 milion USD

1,150
vende të reja pune

AgroKapital do të rrisë investimet në agrobiznes me 18.5 milion USD, nëpërmjet financimit prej 14.8 milion dollarësh. Agrobizneset e mbështetura nga ky program do të rrisin xhiron e biznesit me 28 milion USD duke gjeneruar mbi 1,150 vende të reja pune.

Këto objektiva të kombinuara janë ambicioze pasi do të gjenerojnë një total prej 46 milion vlerë të shtuar ekonomike. Ekipi i projektit, një kombinim prej bankierë, financierë agro dhe profesionistë të zhvillimit ndërkombëtar është i ndërgjegjshëm për sfidat. Por ata janë besimplotë. Ata pohojnë se arsyeja kryesore për këtë optimizëm është se ky program është gjithpërfshirës-duke angazhuar njëkohësisht si kërkesën (fermerët dhe agrobiznesin) ashtu edhe oferën (bankat). Përpjekjet e mëparshme për më shumë financim kanë rezultuar të limituara pasi ato përfshinin ose vetëm fermerët ose vetëm institucionet financiare. CBS paralelisht do të asistojë bankat për të mundësuar më shumë financim dhe produkte më të përshtatshme, duke ndihmuar agrobizneset në përthithjen e sa më shumë fondeve dhe financimeve.

Në AgroKapital, tre komponentë të ndërthurur ngushtësisht, i japin sinergji të gjithë programit

Strategjia e programit është hartuar në tri pjesë: Asistencë bankave dhe institucioneve financiare për të përmirësuar produktet e brendshme në mënyrë që t'i përgjigjen sa më mirë kërkesës së tregut për financim të bujqësisë 2) Forcimi i kapaciteteve të agrobizneseve për të përthithur sa më shumë financim dhe 3) Dhënie informacioni të vlefshëm dhe njoftim mbi mundësitë e financimit për agrobizneset, ekspertët dhe tregun. AgroKapital gjithashtu do të shërbejë si një urë lidhëse mes agrobiznesit dhe bankave për të lehtësuar financimin.

 

Komponenti 1

Çlirim i kapitalit nga Bankat

Vetëm bankat dhe institucionet financiare kanë potencialin për të dhënë mjaftueshëm financim dhe ekipi i projektit do të punojë ngushtësisht me to. Në mënyrë që bankat të injektojnë kapital, ato duhet të kuptojnë plotësisht riskun dhe dinamikën e tregut bujqësor, të zhvillojnë produkte të përshtatshme, të kreditojnë klientë të sigurt dhe të krijojnë mjete të sofistikuara bankare për të menaxhuar riskun e portofolit.

 

Pesë Produkte Bankare krejtësisht të reja në treg

I pari sistem zyrtar elektronik i Referimit të Kredive që krijon lidhje direkte mes bankave dhe Agjentëve të Referimit

Për herë të parë në Shqipëri një model i automatizuar i vlerësimit të kredive bujqësore për vendime të shpejta dhe të sakta kredidhënieje

 

Shërbimet e mëposhtme të këshillimit do të rrisin financimin e agrobiznesit:

Asistencë ndaj bankave për të zhvilluar produkte të reja dhe të përmirësuara kreditimi

Produktet e reja të kreditimit agro do t’i shtojnë bankave numrin e klientëve dhe do t’i krijojnë mundësi të reja dhe të përshtatshme fermerëve për kredi, nga të cilat në të kundërt nuk do të mund të përfitonin. Produktet tipike përfshijnë Kredi investimi dhe Kapital qarkullues, por me një strukturim të ri dhe me përmirësimin e kushteve të miratimit të kredive, si përfshirja e kredive sezonale, toka bujqësore si kolateral, plan i çrregullt pagese, uljen e çmimeve etj. Produktet specifike të hartuara për bizneset e reja dhe për emigrantët e kthyer do të zgjerojnë më tej grupin e klientëve të bankës.

Krijimi për herë të parë në Shqipëri i Sistemit të Referimit të Kredive në mënyrë që ofruesit e shërbimeve financiare për biznesin mund t’i referojnë bankave klientë të kualifikuar për kredi

Aftësia për t’i referuar bankave klientë cilësorë është thelbësore në punën e CBS. Bankat i vlerësojnë referimet cilësore për kredi por referimet përmes dosjeve manuale shpesh humbasin gjatë procedurave. Për një proces profesional referimi, CBS do të zhvillojë sistemin e parë elektronik profesional, me përdorim të hapur për një rrjet ofruesish të shërbimeve financiare për biznesin dhe për insitucionet financiare. Përmes këtij sistemi, ofruesit e sherbimeve financiare të bisnesit do t’i referojnë bankës klientë për kreditim, bazuar në kritere të paracaktuara, të miratuara bashkarisht mes dy palëve. Vlera e këtij sistemi do të jetë ndjekja hap pas hapi e rasteve, rakordimi më i mirë kërkesë-ofertë dhe përmirësimi i dukshëm i përshpejtimit të proçedurave të aprovimit.

Zhvillimi i një modeli të automatizuar të vlerësimit të kredive bujqësore në mënyrë që bankat të marrin vendime të shpejta dhe të sakta kredidhënieje

Vlerësimi i automatizuar i kredive është një mjet për menaxhimin e riskut në banka të modernizuara por, përjashtuar pak raste, nuk përdoret gjerësisht nga bankat. Ky mjet ndihmon për të marrë vendime kredidhënieje të paanshme dhe të automatizuara, bazuar në të dhëna dhe jo në gjykime personale, duke ulur koston e bankave dhe përshpejtuar proçesin e aplikimit. Një model i tillë i dedikuar për bujqësinë do të jetë i pari që do të aplikohet në Shqipëri dhe ideja është pritur me entuziazëm nga bankat. Nëse do të aplikohet në mënyrën e duhur, ky model do të krijojë portofole kredie më të zgjeruara dhe më cilësore.

Asistencë bankave për përdorimin e skemave alternative të financimit për të nxitur kreditimin

Skemat e financimit si IPARD, Skema Kombëtare të subvencionit, Programi për SME-të i Cooperazione Italiana, Programi i garancisë së kredive DCA etj nuk sjellin përfitime vetëm për klientët por gjithashtu edhe për bankat. Institucionet financiare shpesh janë pak të informuara mbi këto instrumente ose nuk kanë arritur të përfitojnë plotësisht prej tyre, duke humbur kështu shumë mundësi. Me aderimin e Shqipërisë në BE, instumente të mbështetjes financiare si IPARD do të rriten në shtrirje, në volum dhe fusha. Për të përfituar nga këto skema, CBS do të asistojë bankat të adaptojnë produkte dhe proçese atraktive për skemat alternative të financimit, duke tërhequr një numër më të madh klientësh.

Zhvillimi i Lizingut bujqësor (qerasë financiare) do të ulë pengesat ardhur nga mungesa pasurisë së patundshme si kolateral dhe do të rrisë kredidhënien për fermerët

Kolaterali mbetet pengesa kryesore për fermerët në marrjen e një kredie dhe lizingu (qeraja financiare) është një mjet shumë i mirë financiar sepse eviton kërkesën për kolataral si formë garancie. Në një marrëveshje lizingu, aseti që blihet si traktori etj, luan rolin e garancisë. Lizingu bujqësor do të ofrojë të tjera përfitime për klientët. Një qera finaciare është më e volitshme sesa një kredi, përderisa klientit nuk i kërkohet pronësia mbi paisjet. Kjo i ofron bujqësisë kushte fleksibël, nga të cilat mund të përfitojnë sipas të ardhurave sezonale. Për të përshpejtuar proçesin, CBS do të krijojë një model lizingu ku paisjet do të jepen si qera financiare direkt nga burimi i blerjes.

Komponenti 2

Fuqizim i Agrobiznesit për të përthithur më shumë financim.

Bankat mund të krijojnë produkte perfekte kredie por nëse nuk gjejnë klientë të fortë dhe të aftë për financim, nuk do të kënë shumë progres. Në mënyrë informale, dihet se mungesa e kolateralit dhe praktikat e papërshtatshme të kontabilitetit bëjnë që shumë fermerë dhe agrobiznese të mos përfitojnë nga financimet bankare.

Komponenti i dytë synon të forcojë kapacitetet e fermerëve dhe agrobizneseve në mënyrë që ata të përthithin më shumë fonde për të rritur biznesin e tyre. Përmirësimi i strukturave të biznesit do të sjellë rritjen e xhiros, të tregëtisë, të konkurrueshmërisë dhe më shumë zhvillim. Ky program do të bëjë që agrobizneset të arrijnë të përfitojnë financim përmes një sërë mundësish.

 
 

Asistencë direkte për agrobizneset për financim nga sistemi bankar

Fermerët dhe agrobizneset humbasin në labirinthin e kërkesave komplekse për kredi dhe të dokumentacioneve të shumta të kërkuara. Informaliteti i shumë prej agrobizneseve është pengesë. Planet e bizneseve dhe pasqyrat financiare, kërkesë e shumicës prej bankave, duket si një mision i pamundur për fermerët. AgroKapital mbështet klientët e tij në hartimin e aplikimeve për kredi nga sistemi bankar, duke i bërë ata të përfitojnë financim. Këshilltarët e biznesit të CBS këshillojnë dhe udhëzojnë klientët mbi produktet bankare në dispozicion (kërkesat për kolateral, pagesat, vlera e kredisë, tipi i produktit financiar, etj) në mënyrë që klienti të marrë një vendim të mirëmenduar mbi bankën dhe produktin që do të zgjedhë. Aplikimet e referuara përmes një proçesi referimi do të sigurojnë një ofertë paraprake miratimi e vlefshme për 30 ditë, me norma interesi dhe kushtet te përcaktuara. Këshilltarët e biznesit të CBS do të asistojnë klientët me përgatitjen e dosjes së plotë për kredi, vlerësimit të aplikimit, raporteve financiare dhe dokumentacionit të kolateralit duke çuar kështu në një aprovim të suksesshëm të kredisë.

 

Financimet alternative si fondet IPARD të BE-së si grante për agrobizneset

Një numër në rritje i burimeve alternative për financim janë në dispozicion të klientëve. Fondet IPARD të BE-së, subvencionet kombëtare për bujqësinë, skemat italiane të garancisë për SME-të, garancitë DCA të USAID-it janë të disponueshme për agrobizneset, por nevojitet që dikush t’i asistojë ata përgjatë këtij proçesi. Këto burime financimi kanë kushte shumë atraktive (si 50% grant etj) por kanë kërkesa teknike komplekse për agrobizneset. Klientët që kërkojnë financime alternative marrin udhëzimet e nevojshme për kriteret, ata duhet të kenë plane të qëndrueshme biznesi, plotësim të saktë të aplikimeve për grant dhe dokumentacion të plotë për të përfituar nga këto grante.

Plane biznesi profesionale për rritje të Agrobiznesit

Planet e biznesit për investime mbi 50 mijë dollarë janë tashmë një kërkesë standarde për kredi ose për burime alternative financimi. Eksperienca përgjatë IPARD, ka provuar se numri i ofruesve të shërbimeve financiare të biznesit në treg është ende i pamjaftueshëm për të plotësuar kërkesën e fermerëve dhe Agrobizneseve. CBS do të ofrojë këtë shërbim falas përfshirë pasqyrat financiare, përgjatë vitit të parë të punës.

Shërbime marketing për të rritur tregëtinë

Fermerët shqiptarë prodhojnë produkte cilësore (fruta, perime, etj) por agrobizneset shpesh nuk kanë mundësi t’i promovojnë ato. Kompanitë e vogla nuk përdorin mjete marketing ndërsa kompanitë e mëdha agropërpunuese investojnë në fushata të kushtueshme por shpesh jo efektive promovimi. CBS ofron një Plan Strategjik Marketingu, hartuar sipas një agrobiznesi specifik. Ky Plan është një strategji gjithpërfshirëse mbi marketingun, me burime të jashtme apo të brendshme, për një rritje të ndjeshme të tregëtisë. Ky plan ofron zgjidhje për përmirësim të produkteve, përfshirë plotësimin e standardeve teknike dhe ndërkombëtare, plotësim të kërkesave së klientëve dhe shpërndarje efikase të produkteve. Plani i marketingut përfshin shërbime për t’i bërë produktet më cilësore dhe tërheqëse, përfshirë zhvillim të identitetit të markës, krijim të lidhjeve të reja në treg, fushata promovuese, si edhe marketing online dhe në rrjetet sociale.

Shërbime këshilluese për agrobizneset mbi teknologjinë dhe standardet

Fondet e BE-së dhe skemat kombëtare të subvencionit gjithnjë e në rritje kanë kritere të qarta për përmbushjen e standardeve teknologjike. Produktet shqiptare konsiderohen si shumë atraktive për tregjet europiane për cilësi dhe çmim por eksportimi i tyre kërkon përmbushjen e standardeve ndërkombëtare ushqimore. AgroKapital do të udhëzojë agrobizneset në përzgjedhjen e ofertuesve të teknologjisë bujqësore, përfshirë kompanitë vendase dhe rajonale. Shërbimet do të përfshijnë informacion mbi paisjen me çertifikatat e standardizimeve kombëtare dhe të BE-së, ISO, HACCP, PMP, Bio etj. Informacioni mbi kompanitë ofertuese do të publikohet në portalin AgroKapital.

Regjistrimi i të dhënave financiare, praktikat e kontabilitetit

Mjeti më i rëndësishëm i menaxhimit që fermërët mund të përdorin për të përmirësuar praktikat financiare është një regjistrim i thjeshtë dhe efektiv i të dhënave financiare. Mungesa e këtij regjistrimi është arsyeja e dytë kryesore pse bankat nuk financojnë fermerët. Pavarësisht kësaj rëndësie, nga në studim me fermerët rezultoi se asnjë prej tyre nuk ka një regjistër të saktë të të dhënave financiare. Në koordinim me AAC Lushnja, një organizatë partnere, CBS do të nisë një projekt pilot për të provuar përfitimet që vijnë nga regjistrimi i të dhënave financiare nga fermerët. Kjo praktikë do të synojë zgjerimin e programit përmes një shoqate fermerësh dhe krijimit të një praktike standarde për anëtarët e shoqatës.


Komponenti 3

Një portal online si një "Qendër Informimi" për bujqësinë shqiptare

Një pengesë për bizneset në Shqipëri është edhe mungesa e informimit dhe e platformave për shkëmbim të dhënash, ku komuniteti i biznesit të gjejë informacionin e kërkuar dhe njoftimet mbi mundësitë ekzistuese dhe të reja.

Ekzistojnë burime individuale informacioni, por nuk ka një hapësirë të vetme me informacion të besueshëm dhe të përditësuar. Për komunitetin e agrobiznesit është shumë i rëndësishëm informacioni në lidhje me tendencat e tregut, me mundësitë financiare, teknologjitë e reja dhe në përgjithësi informacione në interes të bujqësisë dhe bizneseve agro. Shpesh, ky informacion është një privilegj i një pjese të vogël dhe i paarritshëm për shumicën e fermerëve. Portali online që AgroKapital do të krijojë, do të jetë një platformë dinamike moderne me të dhëna shumë të rëndësishme për komunitetin e agrobiznesit. Grupet kryesore të interesit do të jenë fermerët dhe agrobizneset, furnizuesit e produkteve, ekspertët dhe profesionistët e industrisë, si dhe grupet tradicionalisht të përjashtuara të tilla si gratë dhe të rinjtë.

 

Portal Online një qendër e vetme burim informacioni për bujqësinë shqiptare

Njoftim për projekte lokale e rajonale dhe për mundësi të reja për agrobiznesin

Udhëzime të hollësishme teknologjike për çertifikim dhe standardizim të produkteve

Raporte të eskpertëve dhe të prirjeve të reja në treg lehtësisht të kuptueshme

 

Platforma online do të shërbejë si një hapësirë e përbashkët për projekte apo iniciativa të tjera-kombëtare apo rajonale-që lidhen me bujqësinë. Portali do të mbledhë, grumbullojë dhe publikojë lajme, raporte, artikuj të lidhur me sektorin dhe do të përmbledhë informacionin ekzistues për biznesin, por që aktualisht është i shpërndarë në shumë burime. Vlera e kombinimit të këtyre burimeve është krijimi i një platforme të vetme online për komunitetin e bizneseve agro. Portali do të nisë në fund të vitit 2014 duke patur një aktivizim të plotë përgjatë vitit 2015. Përmbajtja informative do të shërbejë për disa qëllime:

 

Publikimi online i mundësive që ofron AgroCapital, në mënyrë që agrobizneset të mund të përfitojnë edhe pa patur kontakt të drejtpërdrejtë me CBS

Në mënyrë që klientët të asistohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, AgroKapital do të ofrojë informacione mbështetëse dhe udhëzime përmes portalit. Për shembull, do të publikohen udhëzimet për t’u kualifikuar për përfitim të financimeve alternative dhe çfarë dokumentacioni duhet përgatitur nga klientët të cilët nuk kanë pasur takime me ekspertët e CBS. Këtu do të përfshihen udhëzime dhe link-e mbi IPARD, fondin për SME-të, grantet nga AIDA etj. Gjithashtu portali do të përmbajë informacion mbi aktivitetet e AgroKapital, analizim të çështjeve si: Si të marrësh një kredi agro, krahasim çmimesh në treg, përllogaritje e kësteve të kredisë, etj. Do të publikohen gjithashtu aktivitete të AgroKapital si demostrime në terren, video instruktuese përmes historive të suksesit të klientëve, etj. Vlera e përfitimit nga këto shërbime do të jetë krijimi i lidhjeve me një audiencë më të gjerë edhe nëse ata nuk kanë një kontakt të drejtpërdrejtë me CBS.

Zhvillimi i projekteve lokale ose rajonale të zhvillimit, inisiativa dhe mundësi për komunitetin e agrobiznesit

Nëse ka një projekt zhvillimi, një panair tregëtar, një program të financuar nga BE ose një tjetër projekt agro në Kosovë, komunitetit të agrobiznesit do t’I ofrohet informacioni përkatës. Një informacion përmbledhës si si këto aktivitete mund të përkthehen në mundësi për tregjet shqiptare me ofrimin e lidhjeve direkte me burimet e tregut për të nxitur veprime të mëtejshme do të publikohet portalin e AgroKapital. Vlera e të pasurit të gjithë këtij informacioni të organizuar në një hapësirë të vetme do të jetë shumë e rëndësishme për biznesin në të gjithë rajonin.

Analiza dhe informacion udhëzues për produktet agro, pajsjet, çertifikimet dhe standardet e industrisë bujqësore

Për bizneset që kërkojnë vetëm informacione të përgjithshme ose që nuk kanë mundësi për t’u konsultuar me këshilltarët e biznesit të CBS, portali do të përmbajë listën e direktorive, komente për produktet, teknologjitë dhe mundësi të dobishme lidhjeje me ofrues pajisjesh në mënyrë që agrobizneset të mund të kontaktojnë direkt me ta. Ky seksion do të përmbajë informacion rreth çertifikimit, mundësive dhe mënyrave të plotësimit të standardeve kombëtare dhe të BE-së, ISO, ASAP, GMP, BIO si edhe çështje të ngjashme. Informacioni do të përditësohet vazhdimisht me oferta të reja produktesh dhe me kërkesat e duhura për standardizim.

Publikim dhe shtjellim i raporteve mbi prirjet e industrisë, studime të ekspertëve në interes të zhvillimit të bujqësisë

Në koordinim me organizata të tjera, raportet e prirjeve të reja të industrisë dhe raportet e sektorëve bujqësor, zakonisht në dispozicion vetëm të ekspertëve, do të publikohet me një përmbledhje të thjeshtë për komunitetin e gjerë, për të kuptuar çfarë do të thotë ky dokument. Raportet mbi tregun, hulumtimet, studimet e ekspertëve mbi zinxhirin e vlerave dhe arkivimi i tyre për t’u përdorur në të ardhmen do të jetë një vlerë e shtuar, jo vetëm për agrobiznesin, por gjithashtu edhe për profesionistët.

Lajmet lokale dhe rajonale për bujqësinë apo agrobizneset do mbajnë të informuar një komunitet në rritje

Lajmet që lidhen me bujqësinë siç është një politikë e re, një stuhi e mundshme që ndikon të mbjellat, të rejat mbi skemat kombëtare të subvencionit apo prirjet rajonale të çmimeve të produkteve janë tema me interes për komunitetin e agrobiznesit. Lajme të ndryshme në lidhje me bujqësinë do të plotësojnë informacionin teknik tashmë në dispozicion duke e bërë portalin një destinacion konstant për audiencën e përditshme dhe atraktiv për audiencat e reja.